Çdo vit, tetori shënon muajin e ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit, në të cilin individë, organizata dhe institucione organizojnë aktivitete për të rritur ndërgjegjësimin dhe solidarizimin në përkrahje të grave të prekura me këtë sëmundje.
Shoqata ‘Soroptimist International’ në Kosovë, që është e përkushtuar për të ndihmuar në krijimin e të drejtave të barabarta gjinore dhe paqësore për gratë dhe vajzat në vend, nesër (22.10) nga ora 12:00 do të organizoj një aktivitet në kuadër të muajit për luftimin e kancerit të gjirit. Radio KFOR-i ka zhvilluar një intervistë me kryetaren e shoqatës ‘Soroptimist’ në Kosovë, Gyner Dauti, e cila tregoi më shumë rreth këtij aktiviteti: “Muaji tetor është muaji i luftimit të kancerit të gjirit dhe shoqata jonë ‘Soroptimist International’, jemi bashkuar me qendrën kosovare për luftimin e kancerit të gjirit ‘Jeta/Vita’, me themeluesen Nafije Latifi dhe kemi organizuar një aktivitet ku do të dekorojmë sheshin e Prishtinës me fjongo rozë disa nga të cilat edhe ti shpërndajmë për të gjithë qytetarët kalimtarë, si mënyrë për tu solidarizuar me të prekurat e kancerit të gjirit dhe të mbijetuarat.”
Znj. Dauti, theksoi gjithashtu se shoqata që ajo drejton do të jetë gjithmonë pranë grave dhe vajzave, në fuqizimin dhe përfaqësimin e pozitës së tyre në shoqëri.