Jo më kot thuhet që përqafimi i thyen të gjitha barrierat, i bën njerëzit të qeshin dhe i shëron ata, njësoj siç bën edhe doktori ndaj të sëmurit. Studimet tregojnë se pikërisht nëpërmjet një përqafimi do të mund të ndjeheni më të lumtur dhe do të keni më shumë besim tek të tjerët. Simbolika e shënimit të ‘Ditës Ndërkombëtare të Përqafimeve Falas’ e cila shënohet në të shtunën e parë të çdo muaji Korrik, është shfaqja e mirësisë, për çfarë Radio KFOR-i edhe kontaktoi me disa qytetarë të rastit, të cilët shprehën mendimet e tyre për këtë temë:
“Përqafimi është një veprim shumë i këndshëm, sepse përcjellë dashuri tek ata të cilëve ia dhuron atë”, kështu mendon Besa , njësoj si Sara, e cila mes tjerash për përqafimin ka këtë mendim:
“Unë mendoj që përqafimi largon negativitetin që njerëzit mund ta kenë gjatë ditës, prandaj pse të mos përqafojmë”.
“Kah të sillem shpërndaj përqafime, hiç nuk e kam problem edhe krejtve ju kisha preferu me shpërnda sa më shumë përqafime, pse jo”, këtë porosi për të gjithë dëgjuesit e Radio KFOR-it e kishte Festimi.
Mirëpo, dita e sotme (06.07.19) simbolizon ‘Ditën Ndërkombëtare të Përqafimeve Falas’, që ka për qëllim shprehjen e dashurisë jo vetëm ndaj të njohurve, por edhe ndaj atyre që nuk i njohim. E çfarë mendojnë të rinia jonë për këto përqafime, a mund të kenë ngjyrime keqkuptuese?
“Tek ne, nëse ia dhuron një përqafim një të panjohuri keqkuptohesh, kështu që të tillëve nuk i ofroj përqafime, por vetëm atyre që i njoh e më njohin”, kështu mendon Vesa, përderisa Besforti mendon ndryshe, meqenëse e pranon që në Kosovë një vperim i tillë mund të keqkuptohet, ai nuk e ka problem të përqafoj edhe ata që nuk i njeh, me të vetmin qëllim, përçimin e dashurisë:
“Sigurisht i keni parë njerëzit nëpër botë që me pamflet të shkruara “hug me” (Më përqafo), kërkojnë që të përqafohen nga njerëzit që kalojnë nëpër rrugë, vetëm me u ndje më mirë, e kështu kisha dashtë me qenë edhe te ne”, thotë Besforti.
Idea e krijimit të kësaj dite, është për t’i bërë personat që ndoshta ju mungon përqafimi apo pak dashuri, që të ndjehen mirë, të rëndësishëm dhe të dashur, të paktën për një ditë.