Data 24 qershor e secilit vit, është e rezervuar për entuziastët e fantashkencës. Kjo, pasi në këtë datë shënojmë “Ditën Botërore të Objekteve të Paidentifikuara Fluturuese (OPF)”.
OPFtë, mbeten njëra ndër kureshtjet më të mëdha njerëzore, qysh nga data 24 qershor e vitit 1947, kur piloti Kenneth Arnold, po fluturonte në qiellin e kthjellët. Ai shfrytëzoi rastin për të eksploruar pak në zonën përreth malit Rainier dhe papritur, siç do të kujtonte piloti Arnold më vonë, ai pa një dritë të shndritshme – vetëm një blic, me ngjyrë të kaltër. Në fillim, ai mendoi se drita kishte ardhur nga një aeroplan tjetër. Megjithatë, kur shikoi përreth, gjithçka që mundi të shihte, ishte një objekt që dukej se po fluturonte rreth 15 milje larg tij. Raportimet për disqe fluturuese të panjohura, sa rriteshin e shtoheshin, po kaq rritej edhe kureshtja njerëzore. Prandaj, për të shuar sadopak këtë kureshtje, kryetari i qendrës për kërkime rreth UFO-ve (Unknown Flying Objects), Haktan Akdogan qysh nga viti 2001, propozoi që 2 korriku, të jetë ditë e mbushur me aktivitete për UFO dhe informim për këto objekte të panjohura. Pra, bota sot shënon dy data që i dedikohen objekteve të paidentifikuara. Ekzistenca e UFO-ve dhe në përgjithësi jashtëtokësorëve, është një temë e debatuar mes atyre që besojnë në jashtëtokësor dhe shkencëtarëve. Sidoqoftë, NASA ka njoftuar se në muajin qershor të këtij viti (2022), do të formojnë një komision të pavarur, i cili do të studiojë fenomenet ajrore me identitet të panjohur, ose siç njihen ndryshe si UFO. Komisioni i pavarur do të mbledhë të dhëna dhe do të hetojë lëvizjet në qiell, që dyshohet se janë qenie jashtëtokësore. Studimi do të fokusohet në identifikimin e të dhënave të disponueshme dhe mënyrën se si NASA mund t’i përdorë këto të dhëna për të avancuar kuptimin shkencor të UFO-ve.
“Dita Botërore e Objekteve të Paidentifikuara Fluturuese” supozohet të jetë një ditë për të gjithë që të ndalojnë dhe të peshojnë mundësinë, që ndoshta ne nuk jemi të vetëm në univers.