Pocilia e Kosovës (PK) në vazhdimësi është duke ndërmarr fushata vetëdijesuese, që kanë për qëllim uljen e aksidenteve rrugore. Radio KFOR-i ka zhvilluar një intervistë me Zëdhënësin e Policisë së Kosovës, Daut Hoxha, nga i cili mësuam për numrin e aksidenteve, në dy muajt e parë të vitit 2021: “Gjatë janarit dhe shkurtit të këtij viti (dy muajt e parë të 2021-ës), janë raportuar 13 aksidente fatale në trafik, me 14 persona të vdekur. Referuar gjendjes në trafik gjatë kësaj periudhe, janë mbajtur takime pune, janë lansuar fushata vetëdijesuese si dhe janë në proces të implementimit plane operacionale policore në nivel vendi, për të ndikuar në ngritjen e nivelit të sigurisë rrugore dhe reduktimin e aksidenteve rrugore në përgjithësi, në veçanti këtyre me fatalitet. Bazuar edhe në analizat e kryera nga Divizioni kompetent i trafikut, faktorët kryesor që dyshohet se kanë kontribuar në aksidentet rrugore janë: mos mbajta e distancës së sigurisë mes mjeteve, mospërshtatja e shpejtësisë ndaj kushteve të rrugës, manipulimi i pasigurt me automjet, etj.”
Zëdhënësi i PK-ës, z. Hoxha, njoftoi gjithashtu se Policia e Kosovës me zyrtarët e saj, në vazhdimësi po ndërmarrin edhe veprime dhe masa ndëshkuese, në funksion të zbatimit të ligjit në trafikun rrugor, duke shqiptuar edhe kundërvajtje për shkeljet respektive. Policia e Kosovës gjithashtu u ka bërë thirrje të gjithë ngasësve të automjeteve në trafik, që të jenë vigjilent gjatë ngasjes, t’i shmangen përdorimit të telefonave mobil gjatë drejtimit të automjetit, të mbajnë distancën e duhur në mes automjeteve gjatë qarkullimit, të respektojnë shenjat për kufizimin e shpejtësisë dhe në përgjithësi vozitjen e automjetit ta përshtatin me gjendjen dhe kushtet në rrugë.