Barazia gjinore është e drejtë themelore e njeriut, është gjithashtu thelbësore dhe si parakusht për zhvillimin e qëndrueshëm të vendeve demokratike dhe shoqërive të emancipuara. Mirëpo, përkundër kësaj, gratë ende përballen me sfida të shumta dhe padrejtësi në shumë sfida të jetës. Sinonim i një gruaje të suksesshme në Kosovë, është zonja Jeta Zagragja, e cila karrierën e ndërtoi me punë, përkushtim dhe sakrifica të shumta.
Znj. Jeta Zagragja, është një sipërmarrëse e teknologjisë, një mentore dhe një avokuese, në fushën e arsimit dhe ajo ka mbi një dekadë përvojë të suksesshme, në industri financiare dhe në sektorin jofitimprurës në Kosovë dhe në SHBA. Aktualisht, znj. Jeta, është një bashkëpronare dhe Zyrtare Kryesore e Operacioneve në ‘UCX Kosova’, një kompani kjo globale, inovative e teknologjisë.
Për të mësuar se si arrihet ky sukses i saj i lartpërmendur, Radio KFOR-i mori një prononcim nga vet zonja Zagragja: “Unë besoj që përmbushja dhe suksesi i qëndrueshëm arrihen me punë. Ndryshimi i madh vjen me hapa të vegjël, të shpeshtë dhe konstant. Vajza dhe gra, që të arrini në pozitat e dëshiruara – qoftë udhëheqëse apo jo, punoni që të mësoni diçka të re çdo ditë, synoni të ndërtoni raporte të shëndosha me njerëz. Beni më të mirën tuaj çdo ditë, në retrospektivë do të mund t’i lidhni pikat të cilat ju kanë dhënë avantazh konkurrues.”
Zonja Jeta, është një nga shembujt e grave të suksesshme në Kosovë dhe ajo e dëshmon se me punë, përkushtim dhe ambicie, ëndrrat e secilit njeri mund të kapen dhe të jetësohen.