Megjithë bardhësinë që ofron dimri, është i ftohti që e karakterizon këtë stinë e që për shumë njerëz kjo stinë kalohet me shumë vështirësi, në mungesë të kushteve elementare për jetesë, përfshirë veshmbathjet dhe të ngrohtit.
Të motivuar nga nismat nëpër qytete të Kosovës dhe më gjerë, studentët e Fakultetit të Medias dhe Komunikimit në UBT, më 20 dhjetor, në ora 11:00 ftojnë qytetarët që përmes dhurimit të palltove të tyre që nuk i kanë më në përdorim, të mund të ngrohin njerëz të shumtë, që për to kanë shumë nevojë.
Marigona Xhigoli, përfaqësuese e studentëve të këtij organizimi, përmes Radio KFOR-it fton të gjithë për pjesëmarrje në këtë organizim:
“Ashtu siç ngrohemi nga atmosfera e festave të fundvitit, ejani të bëhemi bashkë që ta ngrohim shpirtin dhe trupin e dikujt në këtë dimër të ftohtë, sepse festat kanë kuptim vetëm kur njerëzit përreth nesh janë të lumtur”, tha Marigona.
Palltot e dhuruara do të lidhen në drunjtë e shesheve të Prishtinës, të gatshme për ata që kane nevojë për to.