Për të nderuar punën dhe kontributin e çmuar të mësimdhënësve, Radio KFOR-i muajin mars, ia ka dedikuar kampanjës së mësimdhënësve, gjuhëve dhe edukimit. Përgjatë këtij muaji, Radio KFOR-i përmes artikujve të ndryshëm, mesazheve vetëdijesuese, intervistave të shumta me nxënës, student dhe mësimdhënës të gjuhëve të huaja, do të vë në pah rëndësinë e mësimit të gjuhëve. Prandaj, sot (08.03.23), në kuadër të emisionit të mëngjesit, i ftuari i nikoqires Pranvera Behrami-Breznica, ishte profesori i gjuhëve angleze, shqipe e serbo-kroate, në shkollën ‘New Age’, z. Ruzhdi Krasniqi. Në mes tjerash z. Krasniqi tregoi për metodologjinë e nxënies në shkollën ‘New Age’: “Për dallime nga vitet e shkuara, sot fokusi nuk është tek njohja e gramatikës së një gjuhe, por tek mësimi i saj si formë ndërveprimi. Mësimi i një gjuhe tjetër na bënë më mendje hapur dhe hapë shumë dyer për secilin. E gjitha që duhet për të mësuar një gjuhë, është puna dhe vullneti.”
Ndërkohë, sa i përket rëndësisë së të mësuarit të gjuhëve fqinje, z. Krasniqi tha: “Mësimi i gjuhëve fqinje është diçka shumë e rëndësishme për shumë aspekte. Një prej tyre që po e përmend është çështja kulturore. Ne, nëse dimë gjuhën e fqinjëve, ne mësojmë shumë më shumë për kulturën e njëri-tjetrit, gjë që ndikon në rritjen e tolerancës tonë ndaj njëri-tjetrit, por edhe ndërveprimi jonë është më i lehtë, qoftë në aspektin social por edhe në atë biznesor. Njohja e gjuhës së fqinjit, na bënë edhe më konkurrues.”
Profesori Ruzhdi Krasniqi, e përmbylli emisionin në Radio KFOR, me thënien “Mësimi i gjuhëve, është çelës i suksesit për individin dhe për një shoqëri të përparuar”.