“Ne duhet të kemi gra në pozitat më të fuqishme vendimmarrëse, në mënyrë që kur një vajzë 10 vjeçare e pyet veten: Çfarë mund të bëj dhe çfarë dua të bëhem kur të rritem? – ajo do të ketë mundësitë për tu bërë dhe për të qenë ajo që gjithmonë ka dashur”, kështu ka thënë futbollistja, tashmë e pensionuar dhe trajnerja e futbollit amerikan, Abby Wambach dhe këto janë fjalët më motivuese dhe faktike që vënë në pah rëndësinë e fuqizimit të gruas
E në “Ditën Ndërkombëtare në Gruas”, që shënohet sot, me 8 mars, Radio KFOR-i sjell një nga shembujt që demonstron se futbolli është për të gjithë, pa dallim gjinie. Fortesa Berisha nga komuna e Malishevës, është 19 vjeçare, e cila po korr shumë suksese në futboll, sportin me të cilin ajo merret qysh nga mosha 13 vjeçare. Në një intervistë për Radio KFOR-in, ajo tregon që dëshira e madhe që i buron për futbollin , e bënë atë që të jetë edhe një lojtare e dalluar, ndërsa numëron shumë suksese: “Sukseset e mija deri të tanishme janë, kampione Kosove me grup mosha U17, çmimin ‘Lojtarja Më e Mirë’ në Kosovë për mosha të reja nga FFK , kam qenë pjesë zinxhirë e të gjitha grup moshave të Kosova U15, U17, U19 dhe tash në Kombëtaren A të Shqipërisë, golashënuesja më e mirë në sezonin që shkoi, në Superligën e Kosovës.”
Së fundmi, talentin e saj e pati vërejtur edhe një klub nga Shtutgarti në Gjermani, e kjo ë bënë të ndihet krenare: “Kur vlerësohet puna edhe talenti, atëherë normalisht që ndihesh mirë”, tha futbollistja Fortesa. Ajo na tregoi edhe për ekipin aktual në të cilin bënë pjesë: “Ep-Com Hajvalia është ekipi ku momentalisht luaj, jam huazim nga KFF Malisheva. Ekipi ku unë jam rritur dhe jam mësuar të luaj futboll dhe ndjehem falënderuese për çdo moment që kam kaluar aty. Ep-Com Hajvalia është njëkohësisht edhe Kampion aktual i Kosovës.”
Futbollistja Berisha, ka dëshirë që në të ardhmen të veshë fanellën e Real Madrid-it, ndërsa në mesazhin e saj, për të gjitha vajzat dhe gratë, ajo tha: “Për vajzat apo gratë që duan të merren me futboll, ju them se nëse duan të arrijnë synimet e tyre, të luftojnë fort, të punojnë fort. Paragjykimet dhe dështimet mund të jenë të pranishme, sepse vetëm duke kaluar nëpër to, trasojmë rrugën e suksesit dhe bëhemi më të forta.”.
Fortesa Berisha është njëherit një nga shembujt më të mirë, që vlen të përmendet edhe sot, më 8 mars, në “Ditën Ndërkombëtare të Gruas”, ditë që përkon me respektimin e të drejtave të grave dhe ditë e cila shërben jo vetëm për bashkimin e grave pa dallim feje, race, kulture, gjuhe dhe prejardhjeje, por edhe për të kujtuar përpjekjet për barazi, paqe dhe drejtësi.