Në prag të ndërrimit të moteve, ekipi i Radio KFOR-i ndalet për të reflektuar mbi gjithçka që kemi kaluar bashkë në 2025-ën, një vit plot ritëm, ngjarje të rëndësishme dhe mbi të gjitha, plot energji pozitive që na i keni dhuruar ju, dëgjuesit tanë besnikë.
Me këtë rast menaxherja e Radio KFOR-it, Emina Hyseni Shala në fjalën e saj me rastin e Vitit të Ri, ka shprehur falënderim dhe mirënjohje për të gjithë dëgjuesit tanë besnik: “Të dashur kolegë dhe të dashur dëgjues, ndërsa ju kemi afruar fundit të këtij viti, dua të ndalem për një moment dhe të shpreh mirënjohjen time më të sinqertë për të gjithë ju, që e keni bërë të mundur që Radio KFOR-i të mbetet një zë i qëndrueshëm i paqes, informimit dhe bashkëjetesës në Kosovë. Ekipi ynë –familja jonë e fuqishme e profesionale ka punuar me përkushtim të jashtëzakonshëm gjatë gjithë vitit. Në çdo transmetim, çdo reportazh, çdo intervistë dhe çdo postim në rrjete sociale, ju keni dëshmuar kreativitet, profesionalizëm dhe një energji që e bën dallimin. Puna juaj është reflektim i vlerave që Radio KFOR-i përfaqëson: besueshmëri, respekt dhe bashkim. Falë jush, Radio KFOR-i sot është më dinamik, më pranë njerëzve dhe më i dëgjuar se kurrë më parë. Jam krenare që udhëheq një ekip kaq të jashtëzakonshëm dhe mirënjohëse për secilin prej jush. Dëgjues të dashur, faleminderit që jeni me ne çdo ditë – në makinë, në punë, në shtëpitë tuaja, në momentet tuaja të gëzimit dhe sfidave. Ju jeni arsyeja pse ekzistojmë dhe gjithë motivi ynë për t’u përmirësuar vazhdimisht. Besimi juaj është dhurata më e çmuar për ne. Me zemër plot falënderim dhe me shpresën se viti i ardhshëm do të na gjejë edhe më të bashkuar, ju urojmë një fundvit të ngrohtë, të gëzuar dhe një fillim të ri të mbushur me shëndet, paqe dhe suksese. Me respekt dhe mirënjohje, Mina ❤.”
Gëzuar Vitin e Ri 2026, nga ekipi i Radio KFOR-it!







