Ndërsa dritat shumëngjyrëshe të festave mbushin rrugët dhe atmosfera e fund vitit na sjell më pranë njëri-tjetrit, Radio KFOR-i ju fton që të bëheni një, me atmosferën e ngrohtë dhe plot emocione të festave. Ashtu sikurse edhe viteve të kaluara, edhe sivjet Radio KFOR-i është përkujdesur që të sjell atmosferë festive tek të gjithë dëgjuesit me një program festiv të përgatitur me shumë kujdes e dashuri. Kemi kënaqësinë që edhe sivjet, ndërrimin e viteve ta kremtojmë me muzikë live, këngë të zgjedhura me shumë shije, që i përshtaten secilit dëgjues, nga këngëtari Ndriçim Gazija. Me interpretimin e tij të ngrohtë dhe zërin që transmeton ndjenjë, ai do të sjellë këngë feste, melodi dhe ritme plot gëzim, një performancë që do t’i japë publikut emocionin e vërtetë të sezonit festiv.
Krahas kësaj, Radio KFOR-i është përkujdesur që të sjell tek ju edhe edicionet festive të emisioneve. Në edicionin festiv të emisionit Cosmopolis, do të keni mundësinë të dëgjoni një përzgjedhje ekskluzive të filmave më të vlerësuar të vitit 2025, nga produksionet ndërkombëtare tek filmat që rrëmbyen vendet e para në arkat filmike.
Edicioni festiv i emisionit Tech World, sjell një udhëtim përmes inovacioneve që kanë transformuar botën gjatë vitit. Pajisje inteligjente, zgjidhje teknologjike futuriste, AI, robotikë dhe risitë më interesante që kanë mbërritur në treg gjatë 2025-ës, do të keni mundësinë t’i mësoni në edicionin festiv të emisionit Tech World.
Emisioni tjetër Music Zoom, sjellë muzikën më të dëgjuar, artistët më të suksesshëm dhe këngët që dominuan listat e vitit, po ashtu edhe ngjarjet më të mëdha muzikore të vitit.
Klasifikimi i këngëve më të mira të Krishtlindjeve, qofshin ato këngët klasike, moderne apo edhe remix-e, vijnë të përmbledhurat në emisionin Xmas Top Chart, për të na i bërë festat edhe më të bukura.
Një udhëtim nostalgjik dhe argëtues me hitet më të mëdha festive të viteve të ndryshme, një miks perfekt për mbrëmjet e ngrohta familjare dhe festimet me miq, do të na i falë edicioni festiv i Greatest Hits, përderisa emisioni Culture Mix, do të na japë një pasqyrë kulturore të vitit 2025, si: ngjarjet më të rëndësishme kulturore, prirjet artistike, botimet, festivalet dhe momente që lanë gjurmë në art, letërsi, modë dhe në skenën kulturore botërore.
Faktet më interesante, kuriozitetet e vitit, rekordet, trendet e çuditshme dhe festimet ineresante të Vitit të Ri nëpër botë, historitë që kanë bërë bujë, do t’i kuptojmë përmes edicionit festiv në emisionin Fun Facts.
Poashtu, Radio KFOR sjell një emision special sportiv me ngjarjet më të mëdha që shënuan vitin 2025. Një përmbledhje e drejtpërdrejtë e momenteve, fitoreve dhe historive që e bënë sportin të flasë gjatë gjithë vitit.
Prandaj që festat tuaja të jenë edhe më të bukura, shoqërohuni me programin festiv të Radio KFOR-it.







