Nesër (7 shtator), Kosova do të përballet me Republikën Çeke që momentalisht renditet në vendin e dytë në tabelë, me 6 pikë nga 3 ndeshje, kurse Kosova nga 3 ndeshje ka siguruar 5 pikë në total.
Një fitore eventuale e Kosovës do t’i shtonte gjasat për tu bërë pjesë e “Euro 2020”, përderisa barazimi apo humbja do t’i bënte gjërat më të vështira për “Dardanët.”
Mungesat e lojtarëve kyç si: Milot Rashica, Arbër Zeneli, Hekuran Kryeziu, Herolind Shala dhe Benjamin Kololli ia kanë bërë edhe më të vështirë Kosovës “luftën” për një fitore të madhe.
Trajneri i Kosovës, Bernard Challandes do të tentojë të mbulojë boshllëkun që kanë krijuar lëndimet e lojtarëve të sipërpërmendur, por forma e mirë e Vedat Muriqit dhe Bersant Celinës është edhe një tjetër shpresë e forte, në të cilën po mbahet jo vetëm trajneri Challandes por edhe tifozët e shumtë.
“Në kokën time dhe të ekipit, ne duhet të ëndërrojmë. E kam thënë edhe më parë që gjithçka e mrekullueshme fillon me një ëndërr. Kështu që pse jo?”, këto ishin edhe fjalët e Trajnerit të Kosovës, Bernard Challandes, i cili duket se beson shumë në djemtë e rinj, të ekipit të tij.
Ndeshja futbollistike në mes të Kosovës dhe Republikës Çeke luhet nesër, në stadiumin “Fadil Vokrri” nga ora 15:00. Vlen të theksohet se stadiumi pritet të jetë i mbushur me tifozë, ngaqë biletat për këtë lojë janë shitur brenda 15 minutave.