Kultura është një pasuri e përbashkët e njerëzimit, e cila përfshin artin, muzikën, letërsinë, gjuhën, traditat dhe vlerat shoqërore. Pikërisht sot më 15 prill, shënohet “Dita Universale e Kulturës” që thekson rëndësinë e ruajtjes dhe promovimit të kulturës në të gjitha format e saj. Kjo ditë, u shpall bazuar në paktin për “Mbrojtjen e Institucioneve Artistike dhe Shkencore dhe Monumenteve Historike”, i njohur si “Pakti Roerich”, i cili u nënshkrua më 15 prill, të vitit 1935 dhe synon mbrojtjen e trashëgimisë kulturore gjatë konflikteve.
Për nder të kësaj dite organizatat kulturore, muzetë, bibliotekat dhe institucionet akademike, në mbarë botën, organizojnë evente, ekspozita si dhe aktivitete edukative e kulturore, për të nxitur ndërgjegjësimin mbi rëndësinë e ruajtjes dhe zhvillimit të kulturës. Edhe në Kosovë, kjo ditë shënohet me aktivitete që synojnë të promovojnë trashëgiminë kulturore dhe të inkurajojnë brezat e rinj të vlerësojnë dhe të mbajnë gjallë identitetin e tyre kulturor.
Dita e sotme na kujton se kultura është ura që lidh të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen si dhe një mjet i fuqishëm për paqen e mirëkuptimin mes popujve.