Pas kampanjës së suksesshme të Radio KFOR-it ‘Bashkëpunimi medial’, mediumi ynë vazhdon me realizimin e kampanjës tjetër, që këtë muaj i dedikohet në tërësi teknologjisë. Të ftuarit e parë të kësaj fushate, ishin z. Shpend Lila nga kompania ‘Innovation Centre Kosovo’, e cila ka si qëllim të zhvilloj një kulturë të inovacionit edhe në Kosovë dhe z. Valon Canhasi nga Agjencia ‘Hallakate’, e cila ofron shërbime të specializuara për krijimin, zhvillimin dhe menaxhimin e prezencës së audiencës në media sociale, duke e lidhur atë me biznesin.
Të gjithë dëgjuesit e Radio KFOR-it patën rastin të mësojnë shumë fakte interesante për rrjetet sociale, për anët negative dhe pozitive të tyre dhe shumë çka tjetër nga kjo sferë jashtëzakonisht e gjerë dhe çdo ditë në avancim e sipër, duke shpalosur edhe storie të ndryshme suksesi.
“ICK do të jetë pjesë e shënimit të Javës #VajzatNëTIK #GirlsinICT me disa aktivitete. Nga data 25-28 prill, kryeqyteti do të jetë nikoqir i ngjarjeve frymëzuese për vajzat që synojnë karrierë në TIK & STEM, me ç’rast do të ndajmë shumë bursa”, njoftoi z. Lila.
Ndërsa, z. Canhasi inkurajoi të gjithë të rinjtë që të mos ndalen së punuari deri në realizimin e plotë të ambicieve të tyre: “Të rinjtë sot nuk kanë kufizime, siç kishim ne dikur, i keni të gjitha mundësitë në dispozicion, qasje në internet, edukim online, mos u ndalni deri atëherë kur do të ndjeheni krenarë me veten.”
Qëndroni me valët e Radio KFOR-it dhe na ndiqni edhe në rrjetet tona sociale, për të qenë të përditësuar, jo vetëm me artikujt që i përgatisim për ju, por edhe me mysafirët e ardhshëm, specialistë të fushës së teknologjisë.