Nga dita e sotme (15.11.22), të gjithë pjesëmarrësit në komunikacion duhet të bartin pajisjet dimërore dhe shoferët që nuk e respektojnë këtë, do të dënohen për kundërvajtje nga Policia e Kosovës, e cila po vazhdon me fushata senzibilizuese për të rritur sigurinë në komunikacion.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, z. Daut Hoxha, përmes Radio KFOR-it, apeloi për kujdes të shtuar edhe gjatë motit të ftohtë: “Me fillimin e sezonit dimërorë, Policia e Kosovës kërkon nga të gjithë pjesëmarrësit në trafik, e në veçanti nga drejtuesit e automjeteve, që të kenë vigjilencë të shtuar, të posedojnë pajisjet e nevojshme dimërore dhe gjatë ngasjes t’u përshtaten kushteve të rrugës dhe atyre atmosferike, ta mbajnë distancën e mjaftueshme ndërmjet automjeteve dhe të respektojnë shenjat e trafikut që përcaktojnë shpejtësinë.”
Policia me njësitet e saj po ndërmerr dhe do të ndërmarrë masa aktive ligjore, ndaj të gjithë shkelësve të ligjit në trafik, me të vetmin qëllim për ngritjen e nivelit të sigurisë në rrugë, parandalimin e aksidenteve në përgjithësi, e në veçanti të atyre me pasoja fatale.