E themeluar më 15 janar të vitit 2001, nga Jimmy Wales dhe Larry Sanger, fillimisht si një projekt ndihmës për Nupedia – një enciklopedi online me artikuj të shkruar nga ekspertë, e njëjta u pa si model revolucionar, duke u shndërruar në Wikipedia, aty ku çdokush mund të kontribuonte, të redaktonte dhe të përmirësonte artikujt. Pikërisht për nder të themelimit të saj, çdo vit me datën 15 janar, shënojmë “Ditën e Wikipedia-s” për të kremtuar për enciklopedinë më të madhe digjitale në botë dhe komunitetin që e mban atë gjallë.
“Dita e Wikipedia-s” vë në pah secilin kontribut dhënës pas miliona artikujve që informojnë çdo ditë miliarda lexues anembanë globit. Wikipedia nuk shkruhet nga një redaksi tradicionale apo nga ekspertë të paguar, por nga vullnetarë. Studentë, profesorë, profesionistë, nxënës dhe qytetarë të thjeshtë nga vende të ndryshme kontribuojnë në përditësimin, përmirësimin dhe verifikimin e përmbajtjes së saj. Ata ndajnë njohuritë e tyre pa pagesë, të udhëhequr nga parimet e neutralitetit, transparencës dhe burimeve të besueshme. Sipas organizatorëve të “Ditës së Wikipedia-s”, qëllimi i kësaj dite është të rrisë ndërgjegjësimin për rëndësinë e kontributit vullnetar dhe të inkurajojë më shumë njerëz, veçanërisht të rinjtë dhe komunitetet e nën përfaqësuara, të bëhen pjesë e këtij projekti global të dijes së hapur.







