DokuFest, sivjet (2021) shënoi edicionin jubilar, ndërsa qytetit i Prizrenit u zbukurua edhe më shumë me aktivitete të shumta, që ishin pjesë e edicionit të XX-të me radhë, të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit Dokumentar dhe të Shkurtër – DokuFest. Në natën përmbyllëse, pjesëmarrësit do të jenë dëshmitarë të një laramanie aktivitetesh. Kështu tregoi për Radio KFOR-in, Udhëheqësja e Departamentit të Komunikimit në DokuFest, Nora Fetoshi: “Më 14 gusht, nga ora 12:00, do të fillojmë me programin e rregullt të shfaqjes së filmave, në 5 kinema, ndërsa ceremonia përmbyllëse do të fillojë në orën 20:00, me shfaqjen e filmit ‘David Byrne’s American Utopia’ të Spike Lee, që është një film me xhirime të shfaqjes në Broadway, koncept i rrallë që përmban muzikë brilante dhe pamje të bukura. Në natën përmbyllëse do të shfaqim këtë film dhe pastaj do të jetë edhe ndarja e çmimeve. Po ashtu, në natën përmbyllëse do të performojnë edhe Cesare Dell’Anna & Opa Cupa, me fillim nga ora 22:00, në Sonar Cinema.”
Sa i përket edicionit jubilar, znj. Nora Fetoshi, tha se organizatorët e DokuFest-it, janë shumë të kënaqur më mbarëvajtjen e festivalit, me që sivjet ky festival u mbajt me prezencë të publikut, për dallim nga viti i shkuar, kur për shkak ta masave të pandemisë së shkaktuar nga CoViD-19, DokuFest u mbajt në formatin online. Kujtojmë që këtë vit, 2021, DokuFest ka pasur një numër rekord të aplikimeve të filmave prej 3000 sosh, nga të cilët janë prezantuar 235 filma.