Festivali Sunny Hill i tejkaloi pritjet edhe një herë! Mbrëmë ishte nata e tretë dhe finale e festivalit Sunny Hill 2025, e cila solli një eksperiencë elektrizuese për publikun. Me një përbërje (lineup) të fuqishëm artistësh ndërkombëtarë dhe vendas, skena ka shpërthyer me ritme që kanë mbushur atmosferën me energji të papërmbajtshme.
Anyma solli një performancë të veçantë me vizuale mahnitëse në skenën kryesore, ndërsa pas mesnate, Peggy Gou, një nga DJ-t më të njohur në botë, mbylli festivalin me një set që ndezi Prishtinën, deri në orët e para të mëngjesit. Kësisoj, festivali ka arritur të krijojë një atmosferë të paharrueshme, duke shndërruar qytetin në një vatër vibrante të muzikës, artit dhe kulturës.
Ky edicion ka konfirmuar se Sunny Hill Festival, është një ngjarje kryesore për muzikën në rajon, duke sjellë një përvojë të papërsëritshme për ata që e përjetuan. Me energji elektrizuese dhe publik që s’ndaloi së kërcyeri, Sunny Hill u përmbyll ashtu siç duhet dhe do të mbetet gjatë në kujtimet e ëmbla të secilit që ishin të pranishëm.







