Qumështi i gjirit përmban të gjitha lëndët ushqyese që një foshnjë ka nevojë në muajt e parë të jetës. Ai përmban antitrupa që ndihmojnë në mbrojtjen nga infeksionet e ndryshme tek foshnjat, si infeksionet e veshit, të rrugëve të frymëmarrjes dhe diarreja. Për të shënuar rëndësinë këtij ushqimi të përsosur për foshnjat, çdo vit, java e parë e gushtit shënon “Javën Botërore të Ushqyerjes me Gji”, një nismë globale që prej vitit 1992, për të promovuar përfitimet e ushqyerjes natyrale. Këtë vit, fushata mbahet nën moton “Investoni në ushqyerjen me gji, investoni në të ardhmen”.
Nën kujdesin e OBSH-së, UNICEF-it dhe partnerëve të tjerë ndërkombëtarë, ky aktivitet synon të theksojë rëndësinë e mbështetjes së vazhdueshme për nënat dhe foshnjat gjatë gjithë rrugëtimit të ushqyerjes me gji. Politikat, programet shëndetësore dhe mbështetja institucionale janë thelbësore për të garantuar të drejtën e çdo nëne për të ushqyer fëmijën e saj.
Të investosh në ushqyerjen me gji do të thotë të investosh në shëndet, zhvillim dhe ekonomi më të forta për brezat që vijnë.







