“ARBE”, titullohet albumi që sapo ka debutuar në tregun vendor. Një album i veçantë, tinguj që i kanë munguar tregut tonë, me ripërpunime profesionale dhe të veçanta, e të gjitha këto i gërsheton albumi i këngëtares Ardita Begu, e cila njëherit është edhe artiste e re në tregun tonë.
Qysh e vogël, Ardita e ka zhvilluar pasionin për muzikën dhe ka qenë pjesëmarrëse në aktivitete të shumta muzikore, tregoi ajo, teksa ishte sot (22.04.22), mysafire në emisionin ‘Macchiato Lounge’ dhe më tej shtoi: “Në faza të ndryshme të jetës, dëgjojmë zhanre të ndryshme të muzikës dhe nga dëgjimi i muzikës popullore qysh e vogël, muzikë e ‘imponuar’ nga prindërit, pastaj zhanret rock e jazz në vitet në vazhdim, më kanë bërë që ta kem këtë shije muzikore sot. Falënderoj shumë për mbështetje, orkestruesin dhe njëherit producentin e albumit, Faton Dolaku. Albumi përmban 6 këngë, 3 nga to janë këngë popullore të përpunuara dhe 3 të tjera janë këngë të reja, që janë shkruar nga unë, me ndihmën e Fatonit. Inspirimi për këngët më ka ardhur nga përjetimet e ndryshme në fazat të ndryshme të jetës.”
Ndërkohë, bashkë me Arditën, në studion e Radio K4-it, i ftuar ishte edhe kitaristi Durim Tahirukaj, i cili gjithashtu si fëmijë, kishte filluar të merrej me muzikë dhe ti bie instrumentit të kitarës, ndërsa sot është profesionit në këtë fushë. Në albumin ‘ARBE’, Durimi është përkujdesur për tingujt e kitarës, ndërkohë përmes frekuencave të Radio KFOR-it, u bëri thirrje të gjithëve që të dëgjojnë sa më shumë muzikë: “Dëgjoni muzikë shumë, sepse ka zgjedhje muzikore për secilën gjendje emocionale që kemi, pasi muzika është jetë.”