Sot, shënohet ‘Dita Ndërkombëtare e Bamirësisë’, një ditë dedikuar veprave të mira dhe ndihmës ndaj njëri tjetrit. Data e sotme 5 shtator, u zgjodh si ditë bamirësie, për të përkujtuar përvjetorin e ndarjes nga jeta të Nënë Terezës, e cila mori ‘Çmimin Nobel për Paqe’, në vitin 1979, për punën e ndërmarrë në luftën kundër varfërisë, që përbënë një kërcënim për paqen.
Kjo ditë, shënohet në shenjë të mirënjohjes së bamirësisë dhe ndikimit pozitiv që Anjezë Gonxhe Bojaxhiu e njohur si Nënë Tereza, kishte në shoqëri. Duke përkujtuar humanisten shqiptare, ne inkurajojmë solidaritetin global dhe bashkëpunimin, për të adresuar sfidat më të mëdha të njerëzimit. Aktet e bamirësisë, qoftë të vogla apo të mëdha, kanë ndikim të rëndësishëm në jetën e njerëzve.
Mësimet dhe porositë e Nënë Terezës, janë një testament për njerëzimin dhe për nder të kësaj dite, më poshtë lajmit, mund të gjeni disa thënie nga humanistja e madhe:
– Folu butësisht njerëzve! Tregoje mirësinë në fytyre, në sy, në buzëqeshjen tënde, në ngrohtësinë e buzëqeshjes tënde, gjithnjë të kesh buzëqeshje gazmore! Jep jo vetëm kujdesin, por edhe zemrën!
– Jo të gjithë ne mund të bëjmë gjëra të mëdha. Por ne të gjithë mund të bëjmë gjëra të vogla me dashuri të madhe.
– Kam zgjedhur varfërinë për njerëzit tanë të varfër. Por jam e nderuar të marr ‘Çmimin Nobel për Paqe’, në emër të urisë, zhveshjes, të pastrehëve, të verbërve, të sëmurëve, të atyre njerëzve që janë të padëshiruar, që nuk i do njeri, nuk kujdesen për ta. Njerëzit që ndihen të braktisur nga shoqëria dhe të refuzuar nga të gjithë.
– Fjalët e mira mund të jenë të shkurtra dhe të lehta për t’u thënë, por jehona e tyre është e pa fund.
– Nëse i gjykoni njerëzit, nuk keni kohë t’i doni ata.
– Çfarë mund të bësh për të promovuar paqen në botë? Shko në shtëpi dhe duaje familjen.
– Disa njerëz vijnë në jetë si bekim. Disa të tjerë vijnë si mësim.
– Nëse jeni të dekurajuar, kjo është një shenjë e krenarisë, sepse kjo tregon se keni besim në fuqitë tuaja.
– Gjithmonë kur takohemi me njëri-tjetrin le të buzëqeshim, fillimi i çdo dashurie nis me buzëqeshje.
– Në qoftë se vërtetë duam që të na duan, duhet të mësojmë se si të falim.
– Dashuria fillon duke u kujdesur për më të afërmit.
– Varfëria më e tmerrshme është vetmia dhe ndjenja e të qenit pa dashuri.