Të jetuarit së bashku në paqe ka të bëjë me pranimin e dallimeve dhe të kesh aftësinë për të dëgjuar, njohur, respektuar dhe vlerësuar të tjerët. Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara, në rezolutën e saj 72/130, shpalli 16 majin, si “Ditën Ndërkombëtare të Jetesës së bashku në Paqe”, ditë kjo e cila shërben si një mjet për të mobilizuar rregullisht përpjekjet e bashkësisë ndërkombëtare për të promovuar paqen, tolerancën, përfshirjen, mirëkuptimin dhe solidaritetin.
Me këtë rast, drejtoresha e UNESCO-s, Audrey Azoulay dha një mesazh për gjithë botën: “Në një botë në të cilën ne jemi dëshmitarë të tensioneve, akteve të urrejtjes, refuzimit të të tjerëve dhe diskriminimit, ndjekja e paqes dhe vullneti për të jetuar së bashku në harmoni, është më e rëndësishme se kurrë. UNESCO dhe Kombet e Bashkuara po përpiqen për tu siguruar njerëzve, mjetet për të arritur paqen, jo vetëm sepse paqja është një nga qëllimet kryesore të Agjendës 2030, por se është një parakusht për zhvillimin e qëndrueshëm dhe për të mirën e përbashkët.”
Dita e sotme, synon të mbështesë dëshirën për të jetuar dhe vepruar së bashku, të bashkuar në diversitet!