“Ne jemi gjenerata e parë që po i përjetojmë ndryshimet klimatike dhe po ashtu jemi gjenerata e fundit e cila mund të bëjmë diçka rreth saj”, kjo është motoja e diskutimit të radhës mbi ndryshimet klimatike, i cili do të mbahet nesër (23 maj) në Kolegjin Internacional të Biznesit në Mitrovica, nga ora 12:45.
Nën organizimin e organizatës GAIA Kosova e cila është e dedikuar për kulturë, paqe, drejtësi sociale dhe jetesës së qëndrueshme, do të shfaqë një dokumentar i cili paraqet gjashtë tregime të ndryshme si dhe krizat klimatike të cilat na presin në një të ardhme të afërt. Disa nga tregimet janë: rrëfimi i një udhëzuesi malor Francez, rrëfimi tjetër flet për një sipërmarrës indian i cili u përpoq të ngrinte një linjë ajrore me buxhet shumë të ulët si dhe një tregim tjetër për një zhvillues britanik i energjisë së erës që përpiqet të bindë njerëzit e tjerë në fshatin e tij për të mbështetur ndërtimin e turbinave lokale.
Pas përfundimit të këtij dokumentari do të zhvillohet një debat me Prof. Jelena Djokic rreth drejtësisë klimatike si dhe rreth ndryshimeve klimatike në Kosovë. Info seanca në fjalë, do të mbahet vetëm në gjuhën angleze.