Nesër (27.12.2019), duke filluar nga ora 19:00 në Qendrën e Kulturës në Mitrovicë do të mbahet Koncerti i 10-të Tradicional i Vitit të Ri. Ky koncert organizohet nga Organizata “KosovoArs” dhe iu dedikohet fëmijëve me Down Syndrome dhe atyre me nevoja të veçanta.
Radio KFOR-i ka kontaktuar Anisa Suhodolli Mujka nga “KosovaArs”, e cila ka bërë të ditur më shumë detaje për organizimin e këtij koncerti: “OJQ “KosovaArs” tashmë e ka bërë tradicional koncertin të cilin ia dedikon fëmijëve me Down Syndrome dhe atyre me nevoja të veçanta. Dy herë në vit, për 1 Qershor dhe Vitin e Ri, “KosovaArs” organizon koncert humanitar për dhe me fëmijët e lartpërmendur. Këtë vit, po e shënojmë vitin e 5-të të themelimit të Organizatës si dhe koncertin e 10-të për këta fëmijë. I gjithë ky organizim bëhet nën udhëheqjen time dhe të profesorit Erhan Mujka”.
Tutje, znj. Anisa ka ftuar të gjithë të interesuarit që t’iu bashkohen në koncert dhe të festojnë së bashku.