Në faqen zyrtare të Komunës së Prishtinës më datën 20 prill 2020, u publikua kërkesa për t’i ndihmuar nxënësit në nevojë me pajisje, si: telefona të mençur, tableta apo kompjuter, në mënyrë që edhe ata të kenë qasje në komunikim me mësimdhënësit.
E pikërisht sot (15 maj), është po kjo faqe zyrtare e cila i falënderon të gjithë ata persona që iu përgjigjen kësaj ftese, në të cilën thuhet: “Thirrjes tonë për të dhuruar pajisje teknologjike për fëmijët e Prishtinës iu përgjigjen shumë qytetarë dhe kompani të ndryshme. Tashmë ka filluar shpërndarja e këtyre pajisjeve nëpër shkolla që të dorëzohen te të gjithë fëmijët që kanë nevojë. I falënderojmë të gjithë nga zemra për përkrahjen e iniciativës që asnjë fëmijë në Prishtinë të mos mbetet pa e vijuar mësimin në distancë.”
Në qoftë se edhe ju e keni një pajisje të tillë për dhurim, njoftoni përmes kësaj adrese: shtabi.pr@rks-gov.net, me temën: ‘Asnjë fëmijë të mos mbetet prapa’, si dhe specifikoni llojin e pajisjes të cilën doni ta dhuroni.