A e mbani mend herën e fundit kur keni shkruar një letër me dorë? Në një kohë kur mesazhet elektronike dërgohen brenda pak sekondash, një letër e shkruar me dorë mbetet diçka e veçantë, një kujtim që mund të ruhet për vite.
Data e sotme 1 shtator, shënon ‘Ditën Botërore të Shkrimit të Letrave’, një ditë që na fton të rikthehemi te tradita e komunikimit përmes letrave dhe të shprehim mendimet e ndjenjat në një mënyrë më personale.
Kjo ditë synon të na kujtojë rëndësinë e komunikimit të shkruar dhe kënaqësinë që sjell marrja e një letre të shkruar posaçërisht për ne. Ndryshe nga një mesazh elektronik, një letër mund të mbajë gjurmën personale të shkrimit të dorës, kujtime, fotografi apo edhe një aromë që e lidh atë me një moment të veçantë. Edhe pse teknologjia ka ndryshuar mënyrën se si komunikojmë, letrat vazhdojnë të kenë një vend të veçantë në histori dhe kulturë. Shumë prej tyre janë ruajtur si dokumente të çmuara, duke na treguar histori dashurie, miqësie, lufte, familjeje dhe jete të përditshme.
Në këtë ditë, mjafton një copë letër dhe një stilolaps për t’i shkruar dikujt që e kemi për zemër. Ndoshta letra nuk do të arrijë menjëherë, por pikërisht pritja dhe emocioni i marrjes së saj e bëjnë atë kaq të veçantë.







