Të drejtat e njeriut janë të drejta themelore të cilat garantohen dhe mbrohen me ligj. Dhuna në çfarëdo forme, paraqet shkeljen e të drejtave të njeriut, duke dëmtuar, denigruar apo fyer në mënyrë fizike apo verbale dikë. Sot, me 2 tetor, në solidarizim me mijëra persona të cilët në forma të ndryshme kanë përjetuar dhunë, shënohet ‘Dita Ndërkombëtare Kundër Dhunës’, e cila përkon me ditëlindjen e Mahatma Gandhit, mbështetës i filozofisë dhe strategjisë kundër dhunës. Rreth kësaj dite Radio KFOR-i, zhvilloi një intervistë me zyrtarët në zyrën për informim në ‘Këshillin për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut’ (KMDLNJ), të cilët treguan për rëndësinë e kësaj dite dhe vlerësuan gjendjen e dhunës në Kosovë: “Dita Botërore Kundër Dhunës zgjon dhe një herë kujtesën e përgjithshme, se dhuna është e ndaluar dhe se duhet të theksohet e të punohet më shumë në edukimin e përgjithshëm për të drejtat e njeriut. Në KMDLNj gjatë periudhës së pandemisë, ka pasur raportime të shumta të dhunës në familje, krahasuar me vitet paraprake. Mbyllja që ka ndodhur për shkak të pandemisë, ka ndikuar në aspektin psikik tek të gjithë, pa dallim. Mos mundësia e shprehjes por edhe e daljes, problemet financiare, problemet shëndetësore, etj., kanë shtuar numrin e rasteve të dhunës dhe e kanë kthyer shtëpinë, në një mjedis jo të sigurt për anëtarët e saj. Edhe para COVID-19, dhuna ndaj grave ka qenë një ndër shkeljet më të përhapura të të drejtave të njeriut, anembanë botës, por edhe në Kosovë.”
Nga ky Këshill, gjithashtu theksuan se Kosova ka nevojë për edukim për të drejtat e njeriut. Kjo nënkupton edukimin, trajnimin, ngritjen e vetëdijes, informimin dhe pajisjen e nxënësve me njohuri, aftësi, qëndrime dhe sjellje që i aftësojnë dhe i fuqizojnë ata, për të dhënë ndihmesën e tyre në ndërtimin dhe mbrojtjen e një kulture universale të të drejtave të njeriut në shoqëri, për përparimin dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe të lirive themelore.