Në botën e sportit ka gara për shpejtësi, forcë dhe qëndrueshmëri. Por në Finlandë ekziston një konkurrencë ku duhet t’i bësh të trija ndërsa mban partneren mbi shpinë. Bëhet fjalë për World Wife-Carrying Championship, një garë që zhvillohet në qytetin finlandez Sonkajärvi dhe organizohet që nga viti 1992, ku çiftet duhet të përshkojnë një pistë me pengesa, ndërsa njëri prej tyre mban tjetrin në krahë.
Dhe këtu bëhet edhe më interesante: partnerja nuk ka pse të jetë bashkëshortja e garuesit. Konkurrentët mund të përdorin mënyra të ndryshme për ta mbajtur partneren, ndërsa një nga teknikat më të famshme është e ashtuquajtura “Estonian carry”, ku partnerja qëndron e varur pas shpinës së garuesit. Gara kërkon forcë, ekuilibër, shpejtësi dhe mbi të gjitha koordinim mes dy personave. Çiftet madje stërviten posaçërisht për këtë sfidë, e cila tashmë ka tërhequr pjesëmarrës nga vende të ndryshme të botës. Por çmimi është ndoshta pjesa më finlandeze e gjithë historisë: çifti fitues shpërblehet me birrë, në sasi që lidhet me peshën e partneres. Nga futbolli dhe Formula 1, te gara për të mbajtur partneren mbi shpinë, sporti duket se nuk ka më kufij për atë që mund të kthehet në një konkurrencë.







