Sonte (20.02.20), me fillim nga ora 19:00, ‘Fondacioni Shtatëmbëdhjetë’ në bashkëpunim me ‘Kolektivin për Mendim dhe Veprim Feminist’, do të mbajnë serinë e radhës së “Feminist Talk”.
Lidhur me këtë ngjarje, për Radio KFOR-in përgjegjësja e komunikimit në fondacionin ‘Shtatëmbëdhjetë’, Sihana Klisurica, tha: “Sot kemi eventin e radhës në kuadër të programit mujor në ‘Project Space’ dhe këtë radhë vazhdojmë me serinë e bisedave “Feminist Talk”, që e organizojmë në bashkëpunim me ‘Kolektivin për Mendim dhe Veprim Feminist’. Së bashku me këtë kolektiv, ne çdo muaj përzgjedhim një të ftuar me të cilën ose me të cilin bisedojmë për një çëshje të caktuar. Zakonisht tema përzgjidhet duke u bazuar në temën mujore që e kemi në ‘Project Space’. Këtë muaj e kemi temën për ‘Drejtësi gjinore’, ku do të bisedojmë me sociologen dhe aktivisten, Jeta Rexha.”
Në një komunikim interaktiv me sociologen Jeta Rexha, të pranishmit do të diskutojnë mbi fazën në të cilën gjendet shoqëria jonë, çka nënkupton drejtësia gjinore dhe si i qaset ajo padrejtësive shoqërore, ekonomike dhe sistematike gjinore.