Data e sotme, 8 prill, i është ndarë shënimit të “Ditës Ndërkombëtare të Romëve”, e cila zanafillën e ka nga takimi i parë ndërkombëtar i përfaqësuesve rom, i mbajtur në prill të vitit 1971, për t’u zyrtarizuar në vitin 1990, në Poloni, gjatë Kongresit të katërt të Unionit Ndërkombëtar Rom.
Sivjet, pandemia CoViD-19, ka limituar aktivitetet në shënimin e kësaj ditë, kështu tha për Radio KFOR-in menaxheri i organizatës Voice of Roma, Ashkali and Egyptians in Kosovo, Orhan Butic,: “ 8 prilli -“Dita Ndërkombëtare e Romëve”, është një kremtim i historisë, traditave dhe kulturës rome ashtu sikurse është edhe thirrje për përfshirjen sociale të këtij komuniteti. Siç e dimë, gjendja socio-ekonomike në tërë botën, kur flasim për komunitetin rom, nuk është e duhura. Kjo ditë gjithashtu kërkon që të rrisë ndërgjegjësimin mbi sfidat me të cilat përballet komuniteti rom në të gjithë botën. Këtë vit e festojmë jubilarin e kësaj dite, pra vitin e 50-të të fillimit të shënimit të saj. Është një fatkeqësi që po përballemi me pandeminë dhe nuk mund që ta kremtojmë këtë ditë ashtu sikurse është planifikuar, mirëpo shumë organizata e institucione do të shënojnë këtë ditë me aktivitete të ndryshme, përmendim këtu organizatën jo-qeveritare që vepron në Bruksel ‘ERGO Network’, e cila do të organizojë një takim online me Parlamentin e Brukselit, ku do të shfaqen ndër të tjera edhe sfidat me të cilat përballet komuniteti rom në tërë Evropën.”
Siç na njoftoi z. Butic, aktivitete do të zhvillojë edhe organizata jo-qeveritare nga Gjakova ‘Roma in Action’, e cila ka filluar me shënimin e “Javës Rome”, në kuadër të së cilës do të ketë aktivitete të shumta.