Qeveria e Kosovës ka ndryshuar masat e ndalimit të qarkullimit të qytetarëve, me qëllim të parandalimit dhe kontrollit të përhapjes së virusit CoViD – 19.
Sipas vendimit të ri, tanimë në fuqi, ndalohet qarkullimi i qytetarëve dhe automjeteve private nga ora 17:00 deri në orën 06:00.
Ky vendim nuk do të vlejë për nevoja mjekësore, prodhim, furnizim dhe shitje të mallrave esenciale (ushqim dhe barna për njerëz dhe kafshë/shpezë) si dhe për shërbime dhe aktivitete që ndërlidhen me menaxhim të pandemisë (menaxhmenti dhe personeli esencial qeveritar dhe komunal nga këta sektorë: shëndetësi, siguri dhe administratë).
Sipas të njëjtit vendim, barnatoret e licencuara në Kosovë do të mund ta ushtrojnë veprimtarinë e tyre nga ora 06:00 deri në orën 17:00, ndërkohë që pas kësaj ore, veprimtaria e tyre do të organizohet përmes kujdestarisë, ku barnatoret kujdestare do të përcaktohet nga Ministria e Shëndetësisë, në koordinim me Odën e Farmacistëve të Kosovës dhe komunat përkatëse.