A janë video-lojërat të mira apo të këqija për fëmijët tuaj?! Prindërit janë të zemëruar me video-lojërat sepse janë një humbje e madhe e kohës. Ekspertët e arsimit shpesh mendojnë se video-lojërat ‘korruptojnë’ trurin e fëmijëve, ndërsa në media gjithashtu fajësohen video-lojërat e dhunshme për sjelljet agresive dhe antisociale të fëmijëve. Sidoqoftë, shumë shkencëtarë dhe psikologë besojnë se nuk është gjithçka “bardh e zi”, video-lojërat kanë edhe përfitime por edhe anë negative. Duke marrë për bazë studime nga institute dhe universitete presitgjioze të botës, kemi sjellur aspektet kryesore të mira dhe të këqija që psikologët dhe studiuesit kanë vlerësuar se video-lojërat mund të kenë tek fëmijët.
Si aspekte pozitive vlerësohen:
Video-lojërat rrisin aftësitë për zgjidhjen e problemeve dhe rrisin kreativitetin. Shumë video-lojëra u japin fëmijëve mundësinë të mendojnë në mënyrë kreative, ndërsa u shfaqin sfida që duhet t’i zgjidhin.
Video-lojërat me natyrë historike dhe kulturore preferohen për fëmijët. Ka video-lojëra të caktuara që kanë në qendër ngjarjet historike, kulturore, etj., të cilat ngjallin interesimin e fëmijëve për historinë botërore, gjeografinë, ekonominë, kulturat antike dhe marrëdhëniet ndërkombëtare.
Video-lojërat rrisin aftësitë drejtuese të fëmijëve. Kur fëmijët luajnë, ata marrin vendime për atë lojë, kështu mësohen të marrin vendime dhe të kenë aftësi lidershipi. Studimet e “Qendrës Kërkimore Palo Alto”, tregojnë se video-lojërat ofrojnë një mundësi për ndryshim pozitiv të sjelljes.
Ndërsa, si aspektet negative më të shprehura janë:
Video-lojërat mund të promovojnë sjellje të dhunshme. Video-lojërat gjithashtu mund të kenë një efekt negativ në zhvillimin e një fëmije në aspektin e dhunës, sjelljeve antishoqërore dhe rritjes së mendimeve dhe ndjenjave agresive. Hulumtimet në “American Psychological Association” konkludojnë se ekziston një lidhje e qëndrueshme midis përdorimit të video-lojërave të dhunshme dhe agresivitetiti tek fëmijët.
Video-lojërat promovojnë izolimin shoqëror ose sjelljen antisociale. Shumë kohë e kaluar duke luajtur video-lojëra, mund t’i bëjë fëmijët të izoluar nga shoqëria. Ata mund të kalojnë më pak kohë në aktivitete të tjera si detyrat e shtëpisë, leximi, sportet, madje edhe ndërveprimi me familjen.
Video-lojërat mund të ndikojnë në arritjet akademike. Një studim i bërë nga “Argosy University’s Minnesota School on Professional Psychology”, zbuloi se fëmijët që kalojnë shumë kohë me video-lojëra, kanë nota më të ulëta në mësime.