Për këngëtaren kosovare me famë botërore, Dua Lipën, ka qenë jashtëzakonisht inkurajues bashkëpunimi i qytetarëve dhe Komunës së Prishtinës në menaxhimin e pandemisë ‘Covid – 19’. Dua, së bashku me babain e saj, Dukagjin Lipën, kanë intervistuar kryetarin e Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmetin, të cilit i kanë drejtuar pyetje të shumta që qytetarët e Prishtinës ua kanë dërguar atyre përmes emailit.
Gjatë bashkëbisedimit me kryetarin e Prishtinës, Dua Lipa ka thënë se edhe ata për disa javë janë duke qëndruar në shtëpi në Londër, sikurse në shumë vende të tjera të botës që në këtë mënyrë po e luftojnët përhapjen e pandemisë dhe ndër të tjera tha: “Edhe ne në Londër kemi qëndruar nëpër shtëpi, si në Prishtinë. Ende vazhdojnë të jenë të hapura vetëm dyqanet për gjëra esenciale si dhe e kemi të kufizuar lirinë e lëvizjes, përveç në rastet kur duhet patjetër të dalim. Pavarësisht që ka filluar të përmirësohet situata, është e rëndësishme që të mos relaksohemi, por të vazhdojmë të qëndrojmë në shtëpi, të kemi kujdes dhe të përçojmë energji pozitive tek të tjerët. Kam qenë shumë e kënaqur kur kam dëgjuar për fushatën që ka ndërmarrë Komuna e Prishtinës, për t’i bërë njerëzit bashkë virtualisht, meqë fizikisht e kanë pasur të pamundur.”
Bashkëpunimi i mirë mes qytetarëve dhe Komunës së Prishtinës ka bërë që situata të menaxhohet kaq mirë, thotë babai i Duas, Dukagjin Lipa, i cili po ashtu vlerësoi pozitivisht situatën e cila po mbretëron në vendlindjen e tij: “Është kënaqësi me dëgju lajme pozitive nga vendi yt në këto ditë kur krejt bota po përballet me pandeminë. Qytetarët kanë qenë të vetëdijshëm dhe kjo ka bërë që të ketë më pak viktima në Kosovë. Kujdesi duhet të vazhdojë, sepse nuk ka kuptim që këto ditë që është larguar masa e karantinës, me dal me shetit, e me i gjujt në ujë krejt këto javë në karantinë. Fushata e Komunës ‘Rri n’shpi’, ka qenë shumë ide e mirë, sepse ka bashkuar gati 40 mijë anëtarë.”
Ndërsa, kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka falendëruar Dua-n dhe Dukagjinin për përkrahjen e tyre, por edhe qytetarët për solidaritetin e jashtëzakonshëm që kanë treguar këto ditë: “Në Prishtinë javën e fundit kemi pasur thuajse zero raste. Qytetarët kanë qenë të organizuar shumë mirë. Ka mbizotëruar një ndjenjë solidariteti që më ka bërë krenar për faktin që jam kryetar i kryeqytetit. Në fushatën ‘Rri n’shpi’, kemi angazhuar artistë të shumtë, sepse filmi e muzika na ndihmojnë që ta kalojmë më lehtë këtë situatë. Mos të relaksohemi këto ditë, e ta prishim krejt angazhimin e përkushtimin. Të kemi edhe pak durim.”
Gjatë këtij bashkëbisedimi po ashtu është bërë e ditur se ende nuk është marrë vendimi nëse ‘Sunny Hill Festival’ do të organizohet këtë vit, për shkak të pandemisë. Por, ajo që është bërë e ditur është se viteve në vazhdim ‘Sunny Hill Fesitval’ do të mbahet në një lokacion, me të cilin do të identifikohet tash e tutje ky festival. Përveç kësaj, është edhe një projekt i ri në të cilin pritet të investohet nga ‘Sunny Hill Foundation’. Së shpejti pritet të investohet në Amfiteatrin e Prishtinës, ku ideja është që të bëhet një instalacion i veçantë, i cili do t’i zbukurojë aktivitetet e shumta që do të mbahen aty.