Organizatat ‘Kosova Women 4 Women’ (K-W4W), së bashku me ‘Programin për të Drejta Civile në Kosovë’ dhe ‘CARE International’, me financim nga Ministria Federale Gjermane për zhvillim ekonomik (BMZ), kanë hapur thirrje për të përkrahur gratë në biznes në sektorin e bujqësisë në Kosovë. Qëllimi i këtij projekti është të mbështesë sektorin agro-rural, rritjen e prodhimit dhe të produktivitetit, përmirësimin e sigurisë së ushqimit, përdorimin e teknologjisë moderne, mbrojtjen e mjedisit dhe të resurseve natyrore dhe krijimin e vendeve të punës.
Rreth kësaj mundësie, Radio KFOR-i zhvilloi një intervistë me Koordinatoren e projekteve nga organizata ‘Kosova Women 4 Women’, znj. Ardiana Maraj, e cila tregoi më shumë rreth këtij projekti: “Projekti ‘Përfshirja e Grave në Agro-biznesin e Kosovës’, ka për objektivë kryesore gratë të cilat menaxhojnë biznesin e tyre bujqësor, për të përmirësuar pozicionin e tyre vendimmarrës brenda familjeve, komunitetit dhe shoqërisë. Grupi i synuar i projektit përfshin gratë e pa-favorizuara, të cenuara në komunat: Prishtinë, Ferizaj, Graçanicë dhe Junik. Sektorët e sugjeruar, por jo të limituar të përfituesve, janë në fushat: Pemëtari dhe Perimtari; Prodhimi i qumështit; Shpezëtari; Grumbullimi dhe përpunimi i produkteve jo drunorë të pyllit, përfshirë këtu bimët mjekësore dhe aromatike; Bletari; Përpunimi i prodhimeve bujqësore; Brendimi dhe Marketingu; Prodhimet organike dhe Blegtoria.”
Të gjitha procedurat e aplikimit dhe dokumentacionin e nevojshëm, të interesuarat, mund t’a gjejnë në faqen www.k-w4w.org dhe në faqen e Facebook-ut ‘KosovaWomen4Women’ (K-W4W).
Thirrja për aplikim është e hapur deri me datën 18.09.2022 ora 15:00. Aplikacionet duhet të dërgohen fizikisht dhe të mbyllura në zyrat e K-W4W, në Prishtinë.