Muaji maj, është i njohur edhe si “Muaj Botëror për Ndërgjegjësim të Kancerit të Lëkurës”, një kohë kjo e rëndësishme për të rritur vetëdijen mbi rreziqet që lidhen me ekspozimin ndaj rrezeve ultraviolet (UV) dhe për të promovuar parandalimin, zbulimin e hershëm dhe trajtimin efektiv të kancerit të lëkurës.
Kanceri i lëkurës është forma më e zakonshme e kancerit në botë, por edhe një nga më të parandaluarit. Edukimi dhe kontrolli i rregullt i lëkurës, janë hapa kyç në ruajtjen e shëndetit, prandaj përgjatë këtij muaji, inkurajohet përdorim i mbrojtjes nga dielli, siç janë: kremrat mbrojtëse, rrobat mbrojtëse, syzet e diellit dhe qëndrimi në hije. Pastaj, gjatë këtij muaji, promovohet vetëkontrolli i lëkurës dhe vizitat te dermatologu për çdo ndryshim të dyshimtë si dhe theksohet rëndësia e informimit për rrezet UV, edhe në ditët me re apo gjatë dimrit.
Prandaj, bëhu pjesë e përpjekjes globale për të shpëtuar jetë, mbrohu dhe informohu, për rëndësinë e kujdesit ndaj lëkurës!







