‘Dita Ndërkombëtare e Infermierëve’ shënohet çdo vit më 12 maj, në nder të lindjes së themelueses së infermierisë moderne, znj. Florence Nightingale. Kjo ditë është një mundësi për të njohur dhe vlerësuar kontributin jetik që infermierët japin në sistemet shëndetësore anembanë botës.
Qëllimi i kësaj dite është të nderohet puna dhe përkushtimi i infermierëve në përkujdesjen ndaj pacientëve, të rritet ndërgjegjësimi për sfidat që përballen infermierët, siç janë: kushtet e vështira të punës, mungesa e burimeve dhe stresi emocional, të promovohet roli i infermierëve në përmirësimin e kujdesit shëndetësor, etj.
Çdo vit ‘Dita Ndërkombëtare e Infermierëve’ ka një temë specifike për të theksuar një aspekt të veçantë të profesionit, e tema e sivjetme është ‘Kujdesi për infermierët forcon ekonomitë’.







