Kanceri i gjakut është një term i përgjithshëm për disa sëmundje malinje që prekin gjakun, palcën kockore dhe sistemin limfatik. Ai shfaqet kur qelizat e gjakut, qelizat e bardha zhvillohen në mënyrë të pakontrolluar dhe anormale, duke penguar funksionimin normal të trupit. Muaji shtator i çdo viti, shënon “Muajin e i Ndërgjegjësimit për Kancerin e Gjakut”, e kjo me qëllim të rritjes së informimit për sëmundjet që prekin qelizat e gjakut, palcën kockore dhe sistemin limfatik, si leukemia, limfoma dhe mieloma. Këto sëmundje përbëjnë një sfidë të madhe shëndetësore, pasi shpesh diagnostikohen me vonesë për shkak të simptomave të ngjashme me sëmundje të tjera të zakonshme.
Simptoma si lodhja e vazhdueshme, humbja e peshës, infeksionet e shpeshta apo gjakderdhjet e pazakonta, nuk duhen neglizhuar asnjëherë. Organizatat shëndetësore në mbarë botën bëjnë thirrje për kontrolle të rregullta mjekësore, rritjen e donacioneve për kërkime shkencore dhe mbështetjen e pacientëve që përballen me këto diagnoza. Ndërgjegjësimi dhe diagnostikimi i hershëm mund të shpëtojë jetë, andaj ky muaj na kujton rëndësinë e kujdesit ndaj shëndetit.







