Shumë njerëz shmangin ndarjen e emocioneve të tyre, veçanërisht emocionet e tyre negative, me të tjerët nga frika se mos paragjykohen apo po rëndohet edhe më shumë gjendja e tyre.
Për përfitimet e ndarjes së problemeve dhe mendimeve me miqtë tanë, për këtë temë, për Radio KFOR-in foli psikologia Natyra Agani, e cila tha se ato janë të rëndësishme për zhvillimin tonë emocional, kognitiv dhe motorik: “Benefitet e të pasurit një mik janë shumëdimensionale. Ata mund të ndihmojnë në zhvillimin kognitiv përmes zgjidhjes së problemeve, sfidimit intelektual, kuriozitetit e punës.Në zhvillimin emocional ofrojnë eksplorim të gjendjeve të ndryshme emocionale, menaxhim të situatave stresuese dhe konfliktuale dhe kryesisht promovojnë ndjenja pozitive. Në aspektin motorik mund të përfshihen në aktivitete që promovojnë stilin e jetesës së shëndetshme e cila drejtpërdrejtë ndikon në mirëqenien e përgjithshme.”
Znj. Agani, më tej tha se ndarja e problemeve me të tjerët tregon pjekuri psikologjie te njeriu: “Afërsia ose distanca emocionale e bën diferencën nëse një individ do të jetë konfidencial e intim në temat që do të diskutohen. Komunikimi me të tjerët është komponentë e rëndësishme e maturimit psikologjik, andaj edhe cilësia e bisedës me mikun është indikator i këtij zhvillimi.”
Prandaj, shprehja e emocioneve dhe mendimeve tona me miqtë apo familjarët është e mirë për shëndetin tonë emocional dhe mendor.