Rastet e dhunës në familje, Policia e Kosovës gjithmonë i trajton me seriozitetin e duhur. Lidhur me dhunën në familje, Policia e Kosovës tanimë është duke e zhvilluar një kampanjë tjetër, për të cilën Radio KFOR-i e kontaktoi Zëdhënësin e Policisë së Kosovës z. Daut Hoxha, i cili theksoi: “Rastet e dhunës në familje, janë raste të ndjeshme dhe qasja e policisë karshi rasteve të dhunës në familje, është parandalimi i dhunës në njërën anë si dhe trajtimi i rasteve me seriozitet, nga ana tjetër. Kjo ka bërë që intensiteti i raportimit të rasteve të tilla, të rritet ndër vite. Policia e Kosovës, në vazhdimësi ka bashkëpunuar me institucionet relevante, për të parandaluar dhe për t’i trajtuar rastet e dhunës në familje. Policia ka përdorë forma të ndryshme, për të arritur këtë qëllim, siç janë: fushatat, shpërndarja e fletë-palosjeve më porosi konkrete, ligjërata në shkolla, etj. Natyrisht se bashkëpunimi me media dhe përdorimi i rrjeteve sociale, na ka ndihmuar që porosia jonë të përhapët edhe më shumë dhe të shkojë tek sa më shumë persona, e ky është qëllimi ynë primar, sepse pas vetëdijesimit, vije deri tek shtimi i raportimit të rasteve të tilla dhe trajtimi i rasteve të raportuara të dhunës në familje, në mënyrë sa më profesionale.”
Flisni për t’i dhënë fund ciklit të dhunës. Policia e Kosovës është e gatshme 24 orë në ditë, që të bisedojë me ju! Raportoni dhunën në familje tek Policia e Kosovës, në numrin 192.