‘Dita Botërore e Librit dhe e Drejtave të Autorit’, është një ngjarje vjetore e organizuar nga komunitetet kulturore në gjithë botën, për të promovuar leximin, botimin dhe të drejtat e autorit.
Organizata kulturore ‘Qendra Multimedia’ në Prishtinë, për nder të kësaj dite ka organizuar disa aktivitete me 23 prill, nga ora 18:00, në Teatrin ODA në Prishtinë dhe për të mësuar më shumë se çfarë përmbajnë aktivitetet për shënimin e kësaj dite, Radio KFOR-i intervistoi menaxheren e projekteve në Qendrën Multimedia, znj. Aurela Kadriu: “Në ditën botërore të librit do të organizojmë një ngjarje e cila është e ndarë në tri pjesë, pjesa e parë promovim i dy librave: “Me ekzistu është vetë kuptimi”, nga Sibel Halimi; “Mjegulla” nga Dhurata Hoti. Pjesa e dytë do të përmbajë lexime nga tri autoret që do të jenë pjesë e panelit, Sibel Halimi, Dhurata Hoti si dhe Katarina Saric (e cila është shkrimtare, pjesë e programit tonë “Shkrimtaret në rezidencë”, të quajtur “Prishtina nuk ka lume”. Ndërsa pjesa e tretë do të përmbajë një diskutim me këto tri autore për temat që lidhen me fushën e botimeve në përgjithësi, me qasjen dhe aktivizimin e grave shkrimtare si dhe me mënyrën se si ka ndikuar pandemia në fushën e botimeve dhe në punën e tyre në veçanti.”
Për shkak të pandemisë globale këtë vit ‘Dita e Librit’, shënohet me moton ‘Ndaje tregimin tënd’, për të inkurajuar njerëzit të shkruajnë dhe të ndajnë tregimet e tyre me njëri-tjetrin.