Sot shënohet “Dita e Gjuhës Angleze”, e cila festohet çdo vit, më 23 Prill, në ditëlindjen e William Shakespeare-it, shkrimtarit më të madh të gjuhës angleze, ku dramat e tij vazhdojnë të botohen, interpretohen në kinema dhe shihen në filma, gati 400 vjet pas vdekjes së tij.
Në këtë ditë më së shumti vlerësohen mësimdhënësit. E për të shënuar këtë ditë Radio KFOR-i morri një prononcim nga mësimdhënësja e gjuhës angleze, Rina Abazi: “Gjuha angleze është një gjuhë shumë e rëndësishme në gjithë botën, prandaj edhe të rinjtë tanë e duan dhe shprehin interesim për të mësuar gjuhën angleze. Unë kam takuar studentë dhe nxënës shumë entuziast, të cilët përveç mësimeve në shkollë, ata kanë ndjekur edhe kurse individuale dhe grupore të gjuhës angleze.”
Ishin Kombet e Bashkuara që për herë të parë festuan “Ditën e Gjuhës Angleze” më 23 Prill, të vitit 2010, për të vlerësuar linguistikën, diversitetin kulturor si dhe për të promovuar përdorimin e barabartë të të gjashtë gjuhëve zyrtare, në të gjithë Kombet e Bashkuara, ndërsa pesë gjuhët e tjera zyrtare janë arabishtja, kinezishtja, frëngjishtja, rusishtja dhe spanjishtja.