Mbrëmë në natën e dytë në Sunny Hill Festival mijëra adhurues të muzikës u mblodhën për të përjetuar një natë që u shndërrua në një spektakël të vërtetë muzikor. Ylli i padiskutueshëm i mbrëmjes ishte këngëtari skocez Lewis Capaldi, i cili dhuroi një performancë plot emocion dhe afërsi me publikun. Me interpretimin e hiteve të tij më të njohura, përfshirë “Someone You Loved”, “Before You Go” dhe “Forget Me”, Capaldi krijoi momente magjike, ndërsa mijëra zëra kënduan së bashku me të. Karizma, humori dhe zëri i tij i fuqishëm e bënë paraqitjen një nga kulmet e këtij edicioni të festivalit. Përpara ngjitjes së Capaldit në skenën kryesore, publiku u ngroh nga performanca e reperit britanik EsDeeKid, i cili solli energji të jashtëzakonshme dhe ritme moderne që ndezën atmosferën. Përtej muzikës, Sunny Hill vazhdoi të ofrojë një përvojë të plotë verore me zona argëtimi, gastronomi të larmishme dhe vizitorë nga dhjetëra vende të botës. Atmosfera festive dhe energjia pozitive e publikut e shndërruan natën e dytë në një festë të vërtetë të muzikës dhe kulturës. Pas një mbrëmjeje të mbushur me emocione dhe performanca, vëmendja tashmë është kthyer te nata finale e festivalit, ku publiku pret me entuziazëm paraqitjen e superyllit të muzikës elektronike, Martin Garrix.







