Talenti, fiziku, karizmi i tij, bënë që Elvis Presley edhe sot e kësaj dite, të jetë njëri ndër personalitetet më dominuese të kulturës mbarë botërore. Duke qenë i influencuar nga muzika ‘country’ (popullore) dhe rryma pop, karriera muzikore e Elvisit, filloi në vitin 1954, nën ombrellën e shtëpisë disko grafike ‘Sun Records’, në Memphis. Në vitin 1956, Elvis ishte kthyer në një sensacion ndërkombëtar, për t’u bërë ai që e njohim edhe sot si të tillë – ‘Mbret i Rock n’Roll-it’.
Vetëm në Amerikë, Elvis, ka pasur 150 albume dhe singla të ndryshme që janë certifikuar me çmime ‘Gold’, ‘Platinium’ dhe ‘Multi-platinium’ nga RIAA. Vlerësohet se 40% e incizimeve të Presley-t, janë shitur jashtë SHBA. Me jo më pak se 149 këngë, ai ka kryesuar top listat muzikore në gjithë botën. Nga këto këngë, 114 prej tyre kanë qenë pjesë e top 40-it në Billboard, 40 këngë kanë hyrë në top 10-she dhe 18 këngë kanë kryesuar vendin e parë në ‘Billboard Hot 100’.
Përgjatë jetës së ‘shkurtër’ që pati, Elvis, u paraqit në 33 filma. Në mesin e shumë të arriturave në karrierë, Elvis, ka qenë 14 herë i nominuar edhe për çmimin ‘Grammy’, 3 prej të cilave edhe i ka fituar.
Bota ka njohur meritat e tij në kulturë e art edhe pas vdekjes së tij, duke e dekoruar atë me çmime të shumta. Ai vazhdon të përmendet edhe pas vdekjes së tij, ku vetëm pak kohë më parë, kitara akustike e të ndjerit Elvis Presley “Martin D-18”, e vitit 1942, u shit në një ankand për 1.32 milionë dollar.
Presley është i pavdekshëm, e kjo falë regjistrimeve muzikore që i ka lënë botës. Vlerësohet se më shumë se një miliard incizime të Elvis Presley-t, që është edhe një rekord botëror, janë shitur në të gjithë botën, incizime këto me ‘Sun Records’.