“Dita Botërore e Mushkonjave”, e shënuar çdo vit më 20 gusht, shënon përvjetorin e zbulimit të madh që bëri Sir Ronald Ross, në vitin 1897, duke konstatuar që këto insekte transmetojnë tek njeriu parazitin që shkakton sëmundjen e malarias, nga ku edhe u shpërblye me çmimin Nobel, në vitin 1902 në fushën e fiziologjisë dhe mjekësisë.
Malaria është një sëmundje që ka prekur mbi 100 shtete në botë, dhe sipas statistikave nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, thuhet se rreth 400 mijë njerëz vdesin nga malaria çdo vit në gjithë botën.
Nga këto insekte barten edhe viruse të tjera, siç janë: virusi Zika, virusi i Nilit Perëndimor, Ethet Tropikale dhe infeksione të tjera.
Në këtë ditë, që tashmë shënohet çdo vit, me aktivitete të ndryshme, në botë, organizohen fushata vetëdijësuese, debate dhe mënyra të reja për të parandaluar infektimin me malarian, si dhe mëtohet të rritet edhe ndërgjegjësimi për rrezikun që shkaktohen nga mushkonjat.