Me qëllim të përfshirjes së vajzave dhe grave në punësim, Organizata Joqeveritare “Voice of Roma, Ashkali and Egyptians” (VORAE), që nga dita e djeshme (01 mars) e deri në dhjetor të vitit 2021, do të realizoj projektin për punësim, ku do të përfshihen vajza dhe gra nga 8 komuna të Kosovës.
Se çfarë konkretisht përmban projekti përkatës, Radio KFOR-i bisedoi me Zyrtarin e Programit të Punësimit në këtë OJQ, z. Senad Ibishi: “Projekti ofron mundësi për pjesëmarrje në programin për punë praktike, për kandidatet vajza dhe gra të diplomuara të shkollave të mesme dhe universiteteve, të cilat janë të gatshme të ndjekin punën praktike në periudhën prej 3 deri në 6 muaj, në të gjithë sektorët, varësisht prej fushës së studimit paraprak, në komuna të ndryshme të Kosovës. Jemi në proces të mbajtjes së sesioneve informuese në lidhje me programin, ku në javët në vijim ky numër i sesioneve do vazhdohet dhe në komuna tjera. Pritjet tona për këtë vit, janë që të arrihet ky numër i përfitueseve dhe më pas të shikohet mundësia se si do iu mundësohet vazhdimi i punësimit tek përfitueset e programit të punës praktike”, tha z. Ibishi.
OJQ VORAE me projektet e saja, financuar nga Ministria e Punëve të Jashtme të Finlandës, ‘Helsinki Deaconess Institute‘ dhe ‘Roma Education Fund’ ofron mundësi të barabarta për programin e punës praktike, për 50 vajza dhe gra të komuniteteve Ashkali, Rom dhe Egjiptian, të cilat inkurajohen që të bëhen pjesë e kësaj punëtorie.