Trafikimi me qenie njerëzore është një nga format më të rënda të shkeljes së të drejtave të njeriut, i cili prek miliona njerëz në mbarë botën, përfshirë gra, burra dhe fëmijë, që shfrytëzohen për punë të detyruar, shfrytëzim seksual, trafikim organesh dhe forma të tjera të abuzimit.
Sot, më 30 korrik, shënohet ‘Dita Botërore Kundër Trafikimit me Qenie Njerëzore’, një ditë e rëndësishme që synon të rrisë vetëdijen për viktimat e trafikimit dhe të theksojë rëndësinë e bashkëpunimit ndërinstitucional në luftën kundër këtij fenomeni të rëndë. Këtë vit, Kombet e Bashkuara dhe organizatat partnere i kanë kushtuar vëmendje të veçantë rolit të teknologjisë në luftën kundër trafikimit si dhe mbrojtjes së viktimave në proceset ligjore dhe sociale.
Autoritetet në Kosovë, në bashkëpunim me organizatat vendore dhe ndërkombëtare, po intensifikojnë përpjekjet për identifikimin dhe mbrojtjen e viktimave, ndëshkimin e trafikantëve dhe rritjen e ndërgjegjësimit qytetar për këtë fenomen negativ të shoqërisë.
Në këtë ditë, u bëhet thirrje të gjithë qytetarëve, institucioneve dhe mediave që të jenë zë i atyre që nuk mund të flasin – viktimave të trafikimit. Çdo informacion apo dyshim mbi ndonjë rast trafikimi, mund të shpëtojë një jetë dhe duhet të raportohet menjëherë tek autoritetet përkatëse.







