Organizata jo-qeveritare ‘Aktiv’, që tashme ka zbatuar një sërë projektesh dhe është bërë pjesë aktive e shoqërisë civile lokale me projekte që përfshijnë komunitetet e ndryshme që jetojnë në Kosovë, po e organizon aktivitetin e radhës.
Nesër (20.09.22), në hapësirat e Sallës së Kuqe në ‘Pallatin e Rinisë’, në Prishtinë, duke filluar nga ora 19:00, do të organizohet koncert nga pjesëtarët e shkollës ‘Mitrovica Rock School’. Dy bendet ‘Zenith’ dhe ‘Algorithm’, me pjesëtarë të ndryshëm të komuniteteve në Kosovë, që janë pjesë e grupit nga kjo shkollë, do të përformojnë në këtë koncert.
Ky aktivitet do të realizohet në kuadër të projektit ‘Manifesta 14 – Ballkani Perëndimor’ dhe bashkë-financohet nga Bashkimi Evropian. Organizata ‘Aktiv’, këtë vit është partner i ‘Manifesta 14’, në kuadër të projektit për Ballkanin Perëndimor.
Mitrovica Rock School, paraqet një nga shembujt më të mirë të bashkëpunimit dhe punës ndër etnike, duke bërë bashkë të rinjtë e komunitetit serb dhe shqiptar dhe komunitetet tjera përmes muzikës.