‘Dita Botërore e Mirësisë’ e cila festohet sot (13.11.22), është një festë që promovon rëndësinë e të qenit të sjellshëm me njëri-tjetrin, me veten dhe me botën. Qëllimi i kësaj dite është të ndihmojë të gjithë të kuptojnë se mirësia është ajo që na lidh të gjithëve së bashku. Ky mirëkuptim ka fuqinë për të kapërcyer hendekun midis kombeve, racës, fesë, gjinisë dhe shumë më tepër.
‘Dita Botërore e Mirësisë’, për herë të parë u prezantua në vitin 1998, nga ‘Lëvizja Botërore e Mirësisë’. Kjo organizatë u formua në një konferencë të Tokios, në vitin 1997, kur Japonia bashkoi organizatat e mirësisë së kombeve të shumta dhe theksoi domosdoshmërinë e një lëvizjeje globale të mirësisë.
Sot ‘Ditën Botërore të Mirësisë‘, sigurohuni që t’iu tregoni të tjerëve përreth jush, se sa shumë e vlerësoni mirësinë dhe bujarinë e tyre. Ndonjëherë të thuash “faleminderit”, është një nga gjërat më të mira që mund të bësh dhe ndoshta nuk dëgjohet aq shpesh sa e mendoni!