Nëse të shtatë miliardë njerëzit në botë do të merrnin pjesë çdo ditë në një “gjest mirësie”, thjesht mendoni se sa më e mirë do të ishte bota. Një gjest mirësie nga ana e juaj mund të ndryshojë botën e tjetrit, por më shumë do të përfitoni ju. Me këtë pajtohet edhe psikologu, Dorjan Krasniqi, i cili për Radio KFOR-in tha: “Të qenurit i sjellshëm ose mirësjellja, nuk i sjellë dobi vetëm personit ndaj të cilit drejtohet kjo sjellje. Hulumtimet thonë se kur ne tregojmë mirësjellje, rrisim dozat e endorfinave në trup (Hormone- kimikate që na japin ndjenja entuziazmi dhe gjendje shpirtërore të mirë), duke na bërë të ndjehemi më të lumtur dhe më të përmbushur. Meqë jeta psikike ose shëndeti mendor ka një raport të ndërsjellë me sistemin endokrin, kjo është tregues i mjaftueshëm për të na bërë të vetëdijshëm për ndikimin e sjelljes tonë karshi rrethit ku jetojmë, mbi shëndetin tonë mendor.”
Mirësia është një zgjedhje që ia vlen të bëhet. Bëni një zotim për të qenë i mirë dhe bëjeni atë pa kushte. Duke qenë i mirë, ju mund të bëni një ndryshim pozitiv në botë dhe në të njëjtën kohë, të përmirësoni vetëvlerësimin tuaj.