Në një botë gjithnjë e më të ndërlidhur nga teknologjia, miqësia vazhdon të mbetet një nga vlerat më të rëndësishme njerëzore. Çdo vit, më 30 korrik, shënohet ‘Dita Ndërkombëtare e Miqësisë’, e shpallur nga Kombet e Bashkuara, si një kujtesë për rëndësinë e marrëdhënieve miqësore në promovimin e paqes, mirëkuptimit dhe solidaritetit mes njerëzve dhe kulturave të ndryshme.
Në dekadat e fundit, rrjetet sociale kanë ndryshuar mënyrën se si krijohen dhe ruhen miqësitë. Platforma si Facebook, Instagram, TikTok dhe aplikacionet tjera të komunikimit u kanë mundësuar njerëzve të qëndrojnë pranë njëri-tjetrit, pavarësisht distancave gjeografike.
Kjo ka nxitur edhe traditën e ndarjes së fotografive, kujtimeve dhe mesazheve falënderuese për miqtë në rrjetet sociale, duke e bërë ‘Ditën e Miqësisë’, një festë që shtrihet edhe në hapësirën digjitale.
Sipas ekspertëve të komunikimit, teknologjia ka ndihmuar në forcimin e lidhjeve shoqërore, veçanërisht mes familjarëve dhe miqve që jetojnë larg njëri-tjetrit, duke dëshmuar se, pavarësisht zhvillimeve teknologjike, miqësia mbetet një urë që vazhdon t’i afrojë njerëzit.







