Marrja e vaksinës kundër COVID-19 do të thotë më shumë mbrojtje nga infektimi dhe përhapja e COVID-19. Pikërisht për këtë, Ministria e Shëndetësisë dhe institucionet relevante, edhe më tutje, po bëjnë ftesë që ne të vaksinohemi.
Ftesë për tu vaksinuar bëjnë edhe profesionistët dhe doktorët, siç është Dr. Shefkije Shatri, Interniste Pulmologe, e cila për Radio KFOR-in tha: “Dy vjet më parë pyetja ishte a duhet të vaksinohesh? Tani pyetja është a duhet të marrim dozën e tretë? Pandemitë kanë gjithmonë pyetje dhe përgjigja e vetme e tyre është vaksinimi. Sa më shumë të vaksinohemi, ‘Qendrat e Shërbimit Mjekësor’ do të rrisin mundësinë për punë, për diagnostikime të tjera mjekësore, të cilat tashmë kanë mbetur nën hije për shkak të pandemisë. Prandaj, vaksinoni ju lutem, të përmbyllim pandeminë e këtij shekullit!”
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, gjatë 24 orëve të fundit, në Kosovë, janë dhënë 4.120 doza të vaksinës kundër COVID-19. Kurse, prej fillimit të vaksinimit në të gjitha qytetet e Kosovës janë dhënë 1.683.758 doza të vaksinës.